TIRANE- Zbulohen kontratat noteriale të shitjes së 70 për qind të aksioneve nga bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, tek shtetasi gjerman Claus Helmut Otto Heinemann. Kontrata e cila mban numrin 384 e nëshkruar në datën 20 mars 2007,për të cilën inspektorët e ILDKP-së, pretendojnë se është falcifikuar, tregon se aksionet janë blerë nga shtetasi gjerman në një vlerë prej 700 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë përsa i përket shumës prej 300 mijë euro të deklaruar në kallëzimin e ILDKP-së, kjo shifër nuk është përmendur në asnjë rresht të kontratës noteriale të hartuar nga noterja Gentiana Shkodra, edhe kjo e fundit e paditur në prokurori për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.

Aksionet janë shitur për llogari të shtetasit gjerman, i cili ka autorizuar për kryerjen e veprimeve shtetasin Jens Georg Degner, administratorin e shoqërisë tregtare “Gebr.Heinemann Albanien Holding”. Pikërisht kjo kompani ka arritur të blejë 70 për qind të aksioneve tek shtetësja Elona Çaushi, me vlerën e deklaruar 700 mijë lekë të vjetra. Me këtë blerje, Çaushi kufizohej në 30 për qind të kuotave në kompaninë “Albania Duty Free Distribution” ndërkohë pjesa prej 70 për qind i kalonte biznesmenit gjerman Claus Helmut Otto Heinemann. Edhe pse ka blerë aksionet, sot e kësaj dite ky shtetas nuk ka asnjë aksion në kompani, kjo për shkak se bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, ka fituar të gjitha përballjet gjyqësore, duke e larguar nga kompania dhe rimarrë me të drejta të plota të gjitha kuotat e “Albanian Duty Free Distribution”.