Emigranti që fitoi koncesionin 100 milionë USD të sterilizimit

Në prill të këtij viti, qeveria finalizoi koncesionin e katërt në sektorin e shëndetësisë.

Kontrata koncesionare u firmos në mbledhjen e 24 prillit nga zv.kryeministri Erion Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama.

U dhanë me koncesion edhe 18 laboratorët e analizave mjekësore të vendit, në të njëjtat gjurmë me tre kontratat e tjera të partneritetit publik privat në shëndetësi 1-për kontrollin mjekësor bazë (Check-Up), 2-hemodializën dhe 3-sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Katër koncesionet e shëndetësisë janë parashikuar se do t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 40 miliardë lekë [320 milionë dollarë] përgjatë 10 viteve të operimit të tyre.

Koncesionet janë kthyer në simbol të qeverisjes së drejtuar nga kryeministri Edi Rama në 6 vitet e fundit si dhe në burim kritikash nga brenda dhe jashtë vendit për shmangie të konkurrencës dhe paracaktim të fituesve.

Institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin Amerikan të Shtetit apo Komisionin Europian kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi format ekstraligjore të ndjekura nga qeveria aktuale për negocimin e kontratave koncesionare në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

Në terren pasojat e tyre po rrezikojnë edhe jetë njerëzish.

Denoncimi dje i një mjeku kirurg (kliko KËTU) risolli në vëmendje koncesionin e sterilizimit   

Artikulli i mëposhtëm është botuar në 24 nëntor 2015 si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë” dhe ka për autor gazetarin Elton Qyno.

Një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit.

Realisht ai? Apo koperturë?

I pyetur asokohe mbi akuzat se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, Rrapaj tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merret me politikë,” duke shtuar se ky koncesion ka për të qenë “një sukses”.

Për të ka qenë vërtet sukses.

Të dhënat zyrtare tregojnë se koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 320 milionë lekë vetëm në 10 muajt e parë të operimit.

Në qershor 2016, Rama inspektoi funksionimin e koncesionit të sterilizimit të kompanisë Sani Service dhe e quajti atë “një operacion të jashtëzakonshëm… dhe një tjetër hap me rëndësinë funksion të rilindjes së sistemit shëndetësor”.

Më poshtë, pjesë nga artikulli i botuar 4 vite më pare edhe nga DITA:

 

*****

 

Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë”

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Pas fitores së Rilindjes në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe pas kthimit u pa shpesh në kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj.

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i kontratës koncesionare për Sterilizimin prej 100 milionë dollarësh.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej vetëm 1.000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan këtë tender.

 
http://www.gazetadita.al/emigranti-qe-fitoi-koncesionin-100-milion-usd-te-sterilizimit/

 

Koncesioni i sterilizimit u kushton 3.2 milionë USD shqiptarëve në 10 muajt e parë

Të dhënat e siguruara në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm tregojnë se koncesionari i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale ka mbuluar rreth 14 mijë ndërhyrje kirurgjikale me një kosto prej rreth 320 milionë lekësh gjatë 10 muajve të parë të operimit të tij.

Prokuroria nis hetimet për koncesionet multimilionëshe të Beqajt

Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda regjistron procedimin penal për koncesionet e dyshimta të shëndetësisë pas një serie shkrimesh investigative. “Asnjë zyrtar nuk përjashtohet nga hetimi”.

Emigranti shqiptar fiton koncesionin 100 milion USD të Sterilizimit

Një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit.